Ballina Bota Bernie Sanders fiton në New Hampshire, i dyti Pete Buttigieg

Bernie Sanders fiton në New Hampshire, i dyti Pete Buttigieg

12

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Bernie Sanders, e ka shpallur fitoren në zgjedhjet fillestare në New Hampshire të martën në mbrëmje. Kandidati tjetër, Pete Buttigieg, e zuri vendin e dytë.

“Më lejoni të them se kjo fitore këtu është fillimi i fundit të Donald Trump-it”, tha senatori i Vermont-it. “Nuk ka të bëjë thjesht vetëm me mposhtjen e Trump-it, ka të bëjë me transformimin e këtij shteti”, shtoi kandidati demokrat.

Pas numërimit të 85 për qind të votave në New Hampshire, Sanders i fitoi 25.8 për qind të tyre, ndërsa as Buttigieg nuk ishte shumë larg me 24.4 për qind. Vendin e tretë e zuri kandidatja Amy Klobuchar.

Në vendin e katër u rendit senatorja e Massachusetts-it, Elizabeth Warren, ndërsa ish-nënpresidenti Joe Biden e zuri vetëm vendin e pestë, shkruan “The Guardian”.

Rezultati i garës së dytë brenda Partisë Demokratike nuk e dha një favorit të qartë për fituesin përfundimtar dhe i vuri në pah përçarjet e përkrahësve në lidhje me ideologjitë e ndryshme që po paraqiten nga kandidatët.

Pas më shumë se një viti të fushatës, qindra tubimeve dhe miliona dollarëve të shpenzuar, zgjedhjet në New Hampshire erdhën vetëm disa ditë pas zgjedhjeve në Iowa, të cilat përfunduan me tollovi për shkak të problemeve teknike gjatë raportimit të rezultateve.