Ballina Lajme Kërkohet rezolutë për bashkim me Kosovën

Kërkohet rezolutë për bashkim me Kosovën

46

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka dhënë edhe njëherë mbështetje, siç ka thënë ai, vullnetit të shprehur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanocit për t’iu bashkuar Kosovës.

Njëherësh, ai ka mbështetur edhe përfshirjen e përfaqësuesve të këtyre komunave në delegacionin e Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë. Sipas Thaçit, lënia e këtyre tri komunave brenda territorit të Serbisë, ishte një padrejtësi historike që duhet të korrigjohet. Koto komente, Thaçi i bëri gjatë një konference për media pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e tri komunave, Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Thaçi tha se në kuadër të dialogut dhe marrëveshjes paqësore me Serbinë, të përfshihet edhe çështja e këtyre tri komunave dhe vullneti i qytetarëve të atjeshëm për t’iu bashkuar Kosovës. Thaçi ftoi Kuvendin, liderët politik të Kosovës dhe partitë politike që ta mbështesin angazhimin e tij që këto tri komuna t’i bashkohen Kosovës. “Na duhet unitet në Kosovë. Vet përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjes e Bujanocit, kanë propozuar një rezolutë e cila tash do t’i prezantohet kryetarit të Kuvendit, kryeministrit dhe partive politike”, tha Thaçi.

Tani, sipas tij, mbetet që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë dhe miratojë këtë rezolutë, si mbështetje për aspiratat politike të përfaqësuesve të këtyre komunave për bashkim me Kosovën.

Drafti i rezolutës është prezantuar nga kryetari i komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi. Ai tha se rezoluta do t’u dorëzohet të gjithë liderëve politik në Kosovë, nga presidenti deri te kryetarët e partive politike.Kërkesa kryesore, tha ai, është që Kuvendi i Kosovës ta miratojë këtë kërkesë dhe të miratojë rezolutën për bashkimin e Preshevës, Medvegjes e Bujanocit me Kosovën, duke u thirrur në vullnetin e shprehur të popullatës së atjeshme në referendumin e vitit 1992. Përfshirja e Luginës së Preshevës në ekipin negociator në fazën finale të dialogut me Serbinë, sipas Arifit, është kërkesë legjitime. Ai tha se me këtë përfshirje do të krijohej një barazpeshë në dialog, ngase në kuadër të delegacionit të Serbisë, përfshihen edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.Kërkesa e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për bashkim me Kosovën, sipas Shqipërim Arifit nuk ka të bëjë me shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë, por me korrigjimin e kufirit të Kosovës.

Edhe këtë herë, presidenti Thaçi tha se inicimi i korrigjimit të kufirit të Kosovës me përfshirjen e këtyre tri komunave është çështje të cilën ai do ta shtrojë në tavolinën e bisedimeve, por tha se nuk mund të garantojë askush se rezultati do të jetë përfshirja e Luginës në kuadër të territorit të Kosovës.

Ndërkaq, Thaçi sërish u shpreh kundër që si kompromis me Serbinë, Kosova të shkëmbej pjesën veriore me këto tri komuna.