Ballina Bota Një lajm pozitiv rreth luftës ndaj COVID-19: Vaksina e Universitetit të Oksfordit...

Një lajm pozitiv rreth luftës ndaj COVID-19: Vaksina e Universitetit të Oksfordit është 70% efektive

19

Vaksina e coronavirusit e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit ndalon 70% të njerëzve që të zhvillojnë simptoma të COVID-19, tregon një test në shkallë të gjerë.

Kjo sipas BBC, përcjell Telegrafi, është një triumf por edhe një zhgënjim, pasi vaksinat nga Pfizer dhe Moderna treguan se ofronin mbrojtje prej 95%.

Sidoqoftë, pretendon mediumi britanik, vaksina e Oksfordit është shumë më e lirë dhe është më e lehtë për tu ruajtur dhe për të arritur në çdo cep të botës sesa dy të tjerët.

Pra, ajo do të luajë ende një rol të rëndësishëm në trajtimin e pandemisë, nëse miratohet nga rregullatorët.

Ekzistojnë gjithashtu të dhëna që sugjerojnë se me “përsosjen e dozës” mund të rrisë mbrojtjen deri në 90%.

Ndryshe, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka porositur paraprakisht 100 milionë doza të vaksinës së Oksfordit, të mjaftueshme për të imunizuar 50 milionë njerëz.

Sipas BBC, në test janë përfshirë më shumë se 20,000 vullnetarë, gjysma në Mbretërinë e Bashkuar, pjesa tjetër në Brazil.

Mediumi britanik shkruan se në Mbretërinë e Bashkuar ka katër milionë doza të gatshme, me 96 milionë të tjera që pritet të shpërndahen, gjithashtu.

Por asgjë nuk mund të ndodhë derisa vaksina të miratohet nga rregullatorët të cilët do të vlerësojnë sigurinë, efektivitetin e vaksinës dhe që ajo të prodhohet me standarde të larta. Ky proces do të ndodhë në javët e ardhshme.