Ballina Bota Shkon në mbi 1100 numri i viktimave të koronavirusit

Shkon në mbi 1100 numri i viktimave të koronavirusit

13

Ka shkuar në 1115 numri i përgjithshëm i personave të vdekur nga koronavirusi në nivel global. Megjithatë, autoritetet kineze e raportuan numrin më të vogël të rasteve të reja brenda 24 orëve që nga fundi i janarit.

Tregjet financiare e morën veten pas rënies së numrit të rasteve të reja, por ekspertët shëndetësorë ende janë të alarmuar nga përhapja e virusit dhe po thonë se optimizmi i tanishëm është i parakohshëm.

Këshilltari kryesor shëndetësor në Kinë, Zhong Nanshan, tha se numri i rasteve të reja të koronavirusit në disa provinca është duke rënë dhe parashikoi se epidemia do të marrë fund në muajin prill.

Shifra e përgjithshme e personave të infektuar ka shkuar në 44 mijë e 653, përfshirë 2 mijë e 15 raste të reja që u konfirmuan të martën. Ky ishte numri më i vogël për periudhën 24-orëshe që nga 30 janari, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Ndonëse zyrtarët kinezë thanë se situata është nën kontroll, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se epidemia paraqet kërcënim më të rëndë global sesa terrorizmi.